Më 16 dhe 17 prill u mbajt takimi i parë fizik i projektit STRUCTUVET (Veterinary Improvement in Western Balkans: Curriculum Reforming, Didactic Updating & Stakeholders Involvement for the Acquisition of EU Standards), një projekt ndërkombëtar për ngritjen e kapaciteteve në fushën e arsimit të lartë, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti koordinohet nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare i Universitetit Autonom të Barcelonës. Konsorciumi i projektit përbëhet nga 13 institucione, përfshirë fakultete të mjekësisë veterinare dhe ministri nga Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Gjatë sesioneve të punës, partnerët trajtuan çështje kyçe që lidhen me modernizimin e programeve mësimore, përditësimin e metodave të mësimdhënies dhe përfshirjen aktive të aktorëve të ndryshëm të sektorit veterinar.
Takimet u zhvilluan në një frymë konstruktive bashkëpunimi dhe rezultuan shumë produktive, duke mundësuar diskutime të frytshme dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme për zbatimin e suksesshëm të projektit. Ky takim i parë fizik vendosi themelet për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe efektiv ndërmjet partnerëve, me synim zhvillimin e mëtejshëm të arsimit veterinar dhe harmonizimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian.

